image Hezitimi i mësimdhënësve për të marrë vaksinën kundër COVID-19, Nagavci: S’ka mësim fizik pa vaksinim

Arsim

Hezitimi i mësimdhënësve për të marrë vaksinën kundër COVID-19, Nagavci: S’ka mësim fizik pa vaksinim

news image

Ka një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve të cilët nuk janë vaksinuar. E për të nisur procesin mësimor fizikisht në shtator duhet të plotësohen edhe parakushtet për vaksinim. Kështu ka thënë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

“Ne po planifikojmë dhe po shpresojmë që viti i ri shkollor, do të jetë me pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla, që nënkupton se duhet të plotësohen edhe parakushtet për vaksinim.”

“Është mirë që kemi vaksina të mjaftueshme, janë të aprovuara dhe besoj do kemi numrin e rifreskuar të mësimdhënësve të vaksinuar dhe shpresoj që në këtë rritje të numrave të dy ditëve të fundit të personave që janë vaksinuar, të jetë një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve”, tha Nagavci.

Sipas saj, është një neglizhencë e mësimdhënësve si pasojë e një përfundimi jo të lehtë të mësimit dhe shfrytëzimi i tyre për pushime, por që tash që jemi para fillimit të vitit shkollor duhet shfrytëzuar mundësia e vaksinimit, raporton EO.

“Unë dëshiroj të besoj që ndoshta nuk është shumë hezitim, më shumë është një neglizhencë e mësimdhënësve, një numër të tyre të cilët pas përfundimit të një viti shkollor jo shumë të lehtë e me sfida ndoshta e kanë shfrytëzuar këtë kohë të pushimit duke planifikuar që tash kur jemi para fillimit të vitit shkollor, pra ata që akoma nuk janë vaksinuar, të bëjnë vaksinimin në dy dozat në mënyrë që të jemi të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor.”

Mes tjerash, ministrja theksoi se është e nevojshme që të jemi të përgatitur me të gjitha kushtet për një kujdes të shëndetit publik dhe se janë pikërisht mësimdhënësit ata që duhet të japin një shembull të tillë.

“Është mirë që të jemi të parapërgatitur dhe t’i plotësojmë të gjitha parakushtet për një kujdes për shëndetin publik, tash kemi praktikat e vendeve të rajonit të cilat me një farë forme e kanë ndaluar ambientet e mbyllura ku ka persona që nuk janë vaksinuar, kështu që unë besoj mësimdhënësit që promovojnë shkencën do të jenë një shembull i mirë për të tjerët”, përfundoi Nagavci./Gazeta Sinjali/