image Helmimet nga ushqimi, 31 pacientë në Infektivë, pesë prej tyre nga Hani i Elezit - konfirmohen 11 raste me Salmonellë

Shëndetësi

Helmimet nga ushqimi, 31 pacientë në Infektivë, pesë prej tyre nga Hani i Elezit – konfirmohen 11 raste me Salmonellë

news image

Klinika Infektive e Qendrës Universitare Klinike të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se aktualisht po trajton një situatë të helmimeve të dyshuara nga ushqimi, ku deri më tani janë hospitalizuar 31 pacientë. Sipas rezultateve laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis.

Në njoftimin e saj, Klinika Infektive bën të ditur se gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik 2026, ndihmë mjekësore urgjente kanë kërkuar rreth 30 persona, ndërsa të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e nevojshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore po përmirësohet.

Gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik 2026, ndihmë mjekësore urgjente në këtë klinikë kanë kërkuar rreth 30 persona. Pas analizave të hollësishme laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis. Ekipi shëndetësor konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të këtyre rasteve, gjatë kësaj periudhe treditore janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme.

Sipas deklaratave të vetë pacientëve, numri i personave që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion dhe që dyshohet se mund të jenë helmuar është më i madh. Stafi mjekësor është duke kryer ekzaminimet e nevojshme dhe po monitoron vazhdimisht gjendjen e tyre, ndërsa po punohet intensivisht për të identifikuar burimin e saktë të infeksionit”, thuhet më tej në njoftim.

Klinika Infektive ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta.

“Shmangni ushqimet e shpejta: Rekomandohet të shmanget konsumimi i produkteve të tipit ‘fast food’, posaçërisht gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, pasi nxehtësia favorizon shumimin e shpejtë të baktereve.

Kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë: Nëse pas konsumimit të ushqimit shfaqni simptoma si të vjella, diarre, temperaturë të lartë apo dhimbje të forta barku, drejtohuni menjëherë në qendrën më të afërt mjekësore”, thuhet në rekomandimet e Klinikës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/