Agjencia e lajmeve Associated Press ka raportuar për helmimet e qindra qytetarëve në Komunën e Deçanit.
AP në artikullin e saj shkruan se Kryetari i komunës në perëndim të Kosovës ka deklaruar gjendje emergjente të martën pasi qindra banorë përjetuan të vjella dhe diarre gjatë ditëve të fundit.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha ka thënë për media se mbi 1 mijë e 500 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të helmimit që nga e shtuna.
Dyshimet e para janë se helmimi ka ardhur nga uji i pijshëm.
“Mbi 1 mijë e 500 persona kanë kërkuar trajtim shëndetësorë që nga e shtuna. 99 për qind e pacientëve kanë marrë shërbime mjekësore. Gjendja e pacientëve është e mirë“, ka thënë ai.
Banorët e Deçanit dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes, ndonëse prokuroria është duke kryer hetimet në këtë drejtim.
Përveç QKMF’së në Deçan, disa pacientë janë referuar për trajtim edhe në Spitalin e Pejës.
Mbi 20 pacientë kanë marrë shërbime shëndetësore në këtë spital. /Gazeta Sinjali/