Në takimin e pasuksesshëm ndërmjet kryetarit Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtit, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafës, nënkryetari i kësaj të fundit, Lutfi Haziri, ka thënë se nuk është përmendur fare posti i presidentit.
Haziri tha se Mustafa nuk po bën koalicion për veten dhe kësisoj, nuk e ka përmendur postin e presidentit të vendit në negociatat me LVV-në, shkruan Gazeta Sinjali.
“Këtë nuk e ka përmendur në takim pasi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, nuk është duke bërë koalicion për veten”, ka thënë Haziri në Klan Kosova.
Ai ka shtuar se LDK nuk po kërkon ndonjë pozitë në formë të dhuratës, por po mundohen që ta përpjesëtojnë votat e fituara.
“Ne nuk po kërkojmë asgjë, e nuk pranojmë dhurata politike sepse nuk ka. Ne përgjegjësinë politike sipas votës qytetare jemi duke e përpjesëtuar”, ka thënë ai.
Haziri ka theksuar se në takimet ndërmjet LVV-së e LDK-së, kjo e fundit nuk ka dhënë kushtëzime por as edhe nuk ka pranuar kushtëzime./Gazeta Sinjali/