Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se deklarata e emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për ndryshimet kushtetuese nuk ka qenë e papritur.
Ajo ka rikujtuar se që nga viti 2013, kur në Kuvend kishte ardhur marrëveshja e parë, Vetëvendosje kishte paralajmëruar për pasojat e “Zajednicës”, formimi i së cilës është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Duke folur rreth deklarimeve të Lajçak për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim që t’i hapet rruga formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, Haxhiu në TV Dukagjini tha në Kosovë vetëm Lëvizjes Vetëvendosje ndërkombëtarët nuk mund t’ia kërkojnë zbatimin e marrëveshjes së “Zajednicës’.
Ndryshe, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq në Beograd, Lajçak tha se gjatë takimeve në Prishtinë, asnjë nga bashkëbiseduesit e tij nuk e kishte mohuar themelimin e asociacionit si obligim i dalë nga marrëveshjet me Serbinë të nënshkruara nën ndërmjetësimin e BE-së më 2013 dhe 2015. Madje, sipas tij, zyrtarët e Kosovës nuk kanë thënë ‘jo’ as për ndryshimin e Kushtetutës.
“Askush nuk ka thënë se kjo është e pamundur. Kushtetuta nuk është Bibël. Nëse merremi vesh për gjëra serioze, atëherë natyrisht se kjo duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, është shprehur Lajçak.
Ai ka thënë se për çdo gjë që janë marrë vesh në marrëveshjet e mëhershme në Bruksel duhet të zbatohet dhe se sipas tij, hapi i radhës është të flitet për statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
BE ka bërë të ditur sot se qëndrimi i saj për asociacionin nuk ka ndryshuar dhe iu referua fjalimit të ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini, në Kuvendin e Kosovës më 2016, ku ajo hodhi poshtë mundësinë që asociacioni të jetë pushtet i ndarë në Kosovë.
Çështja ka çuar në zvarritje të dialogut në Bruksel, pasi Serbia këmbëngul për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013, ndërsa Kosova po e konsideron si çështje të mbyllur. /Gazeta Sinjali/