Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se uron që protesta e qytetarëve të Kosovës në shenjë revolte për shkak të situatës politike të krijuar në vend, t’u shkojë në vesh politikanëve të papërgjegjshëm.
Haxhiu këtë e ka thënë përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, transmeton Gazeta Sinjali.
“Protesta e qytetarëve nëpërmes zhurmës në ballkone, uroj t’ju shkoj në vesh politikanëve të papërgjegjshëm të cilët nuk ia duan të mirën vendit e qytetarëve, pikërisht atyre që nuk e duan zhvillimin e drejtësinë në vend”, ka shkruar ajo.
Qytetarët e Kosovës sonte protestuan nga ballkonet e ndërtesave ku janë të izoluar për shkak të virusit COVID-19 që është përhapur edhe në Kosovë. Protesta u bë për shkak të situatës politike të krijuar në vend dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës.
“Revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolikë të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës. Gjatë viteve të 90-ta, qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe”, ishte shkruar në thirrjen e shoqërisë civile për këtë protestë. /Gazeta Sinjali/