Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se i është ndërprerë kontrata e punës drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Rrahim Rama, shkruan Gazeta Sinjali.
Haxhiu ka përmendur disa të gjetura që bënë që Rama të shkarkohet nga detyra e drejtorit në këtë agjenci.
“Sot, u njoftuam se mbi bazën e të gjeturave tona, Komisioni Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues, ka shqiptuar masën disiplinore “Ndërprerje e marrëdhënies së punës” për drejtorin e kësaj Agjencie, për shkak të keqmenaxhimit, joprofesionalizimit, mungesës së transparencës, si dhe mosgatishmërisë për bashkëpunim në kryerje të detyrave të tij ligjore. Po ashtu i njëjti ishte zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme”, ka shkruar Hazhiu në Facebook.
Procesura disiplinore ndaj Ramës kishte nisur më 7 prill, ndërsa 10 ditë më vonë u themelua komisioni që sot e shkarkoi.
“Me 7 prill 2020, kemi iniciuar procedurën disiplinore ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar”.
“Më 17 prill 2020, Qeveria mori vendim për themelimin e Komisionit për shqyrtimin e këtij rasti”, ka shkruar Haxhiu. /Gazeta Sinjali/