Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Philip Kosnett, me të cilin ka diskutuar për prioritetet në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
Ministrja Haxhiu e njoftoi Ambasadorin Kosnett për ndryshimet dhe reformat që kanë filluar të ndërmerren për fuqizimin e sundimit të ligjit, duke përmendur kështu çështjen e vetingut dhe e njoftoi për hapat e parë lidhur me themelimin e grupit të ekspertëve për draftimin e skenarëve për këtë proces.
“Si prioritete tjera, ministrja Haxhiu përmendi edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e që do të jetë prioritet i Qeverisë për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit si dhe procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit”, thuhet në komunikatën për media.
Ambasadori Kosnett e uroi Ministren për detyrën e re dhe u shpreh i gatshëm për të kontribuar dhe mbështetur prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë që lidhen me shtetin e së drejtës./GazetaSinjali/