image Haxhiu: Ta kthejmë besimin e qytetarëve në drejtësi

Kosovë

Drejtësi/ Haxhiu: Ta kthejmë besimin e qytetarëve në drejtësi

news image

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte sot mysafire e Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçajt, të cilën ky i fundit e njoftoi me sfidat dhe arritjet e sistemit gjyqësor në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Çoçaj ka thënë se kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për garantimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, rritjen e efikasitetit, përmirësimin e performancës të sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja shprehu gatishmërinë e saj që të ndihmojë në realizimin e kërkesave buxhetore për institucionet e drejtësisë, në mënyrë që qytetarëve t’u kthehet besimi në sistemin e drejtësisë.

“Jam e gatshme që bashkërisht me institucionet e drejtësisë t’i qëndroj besnike misionit tim si ministre e Drejtësisë që ta kthejmë besimin e qytetarëve tanë në drejtësi dhe ta përmbushim misionin e përbashkët, luftimin e së keqes”, tha Haxhiu.

Në takim u diskutua edhe për çështje të tjera si; zgjidhja e lëndëve civile, parashkrimi i lëndëve, buxheti 2020 dhe aprovimi i tij, nevoja për staf në gjykata, ligji i konfiskimit të pasurisë, rritja e pagave për stafin administrativ në gjyqësor, pjesëmarrja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në grupe punuese dhe trajnime, por edhe çështje të tjera aktuale./Gazeta Sinjali/