Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u tërhoq nga procesi i monitorimit të konkursit për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas saj, komunikata e kësaj ambasade në të cilën thuhet se këto procese janë rrënjësisht të prishura dhe se vazhdimi i pjesëmarrjes së ambasadës amerikane në këtë proces do të mund të keqinterpretohej si përkrahje e këtij sistemi të prishur, do të duhej të ishte shqetësim për bartësitë e sistemit të drejtësisë.
Madje, Haxhiu thotë se tërheqja e kësaj ambasade nga ky proces do të duhej të ishte thirrje për reflektim dhe ndalim të grupeve të individëve brenda sistemit prokurorial që nuk ia duan të mirën sistemit, por punojnë ditë e natë për agjendat e tyre të mbrapshta.
Ish-ministrja thotë se ende pa u zgjedhur, dihen emrat e kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit.
“Kjo nuk ka të bëjë me meritokraci, por fatkeqësisht tregon e dëshmon fuqinë e atyre që as s’do të duhej të ishin pjesë e sistemit të drejtësisë dhe që për vite radhazi i kanë shërbyer kriminelëve e oligarkëve”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook./Gazeta Sinjali/