Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria Hoti ka bërë gabim historik kur ka nënshkruar marrëveshjen me Serbinë në Washington, shkruan Gazeta Sinjali.
“Qeveria Hoti ia ka bërë gabimin më të madh historisë së Kosovës, të vërtetës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”.
“Kryeministri Hoti me anë të nënshkrimit të asaj marrëveshje është pajtuar të fsheh krimet e Serbisë në Kosovë. Gjatë luftës në Kosovë, Serbia përveç vrasjeve, masakrave, dëbimeve, dhunimeve, shkatërrimeve është përgjëgjëse edhe për rreth 6000 persona të pagjetur”, ka thënë Haxhiu.
Ajo poashtu ka thënë se të pagjeturit janë plagë e hapur për Kosovën dhe familjarët që nuk kanë informata për më të dashurit e tyre.
Kurse deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Saranda Bogujevci, ka thënë se duhet të bëhet digjitalizimi dhe dokumentimi i të dhënave për personat e pagjetur.
“Dokumentimi dhe digjitalizimi i të dhënave është vendimtar, ende kemi materiale që mbesin në institucione të caktuara që duhet të digjitalizohen”, ka thënë Bogujevci.
Ndër të tjera, Haxhiu ka thënë se shumë shpejtë do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë. /Gazeta Sinjali/