image Haxhiu për Vettingun: Harrnimet aktuale janë dëshmi se kjo qeveri nuk e do shtetin e së drejtës

Drejtësi

Haxhiu për Vettingun: Harrnimet aktuale janë dëshmi se kjo qeveri nuk e do shtetin e së drejtës

news image

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi që Qeveria Hoti themeloi Grupin Punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështjet e Reformës në Sistemin e Drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies, duke mos përjashtuar edhe Vettingun.

Haxhiu thotë se me këtë vendim Qeveria shkeli mbi një punë të mirë që kishte nisur në fund të shkurtit, kur u themelua grupi i ekspertëve për Vettingun në sistemin e drejtësisë.

“Ishim të përkushtuar për shtetin e së drejtës dhe qëllim kryesor kishim çkapjen e sistemit të drejtësisë, kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe arritjen e një sistemi të drejtësisë me prokurorë e gjyqtarë të ndershëm e me integritet moral e profesional të cilët do të vepronin vetëm në përputhje me kompetencat e tyre, pa u frikësuar dhe pa asnjë ndikim, nga askush! Këtë e duan edhe prokurorët e gjyqtarët e ndershëm brenda sistemit. Sot, kjo punë e mirë u rrënua qëllimshëm. Harrnimet aktuale janë dëshmi se kjo Qeveri nuk e do shtetin e së drejtës”, ka shkruar ajo.

Në fund, ajo ka falënderuar anëtarët e këtij grupi të formuar në shkurt të këtij viti, për të cilët thotë se pranuan të punojnë vullnetarisht, pa asnjë kompensim financiar. Ish-ministrja thotë se kjo reformë në sistemin e drejtësisë po shtyhet e po pengohet qëllimisht, por thotë se nuk mund të ndalet.

“Shteti i së drejtës nuk ka alternativë”, ka përfunduar ajo.

Grupi Punues i formuar sot do ta ketë këtë përbërje:

1. Përfaqësues nga Grupi i Ekspertëve të pavarur sipas pikës 1 të vendimit nr. 08/04 të datës 28.02.2020;
2. Një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit;
3. Një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë;
4. Një përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës;
5. Një përfaqësues nga Këshilli Prokurorial i Kosovës;
6. Një përfaqësues nga Agjencia Kundër Korrupsionit;
7. Një përfaqësues nga Policia e Kosovës;
8. Një përfaqësues nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë;
9. Një përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës, si dhe
10. Përfaqësues tjerë nga sistemi i drejtësisë.

Ndërsa do të ftohen në rolin e këshillëdhënësit, përfaqësues nga:

1. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë;
2. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës;
3. Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar;
4. Ambasada e Gjermanisë;
5. Ambasada e Italisë;
6. Ambasada e Francës;
7. Përfaqësues nga Misioni i OSBE-së; si dhe
8. Përfaqësues tjerë nga Shoqëria Civile./Gazeta Sinjali/