image Haxhiu për gruan që u vra dje nga burri: Ky krim i rëndë do të parandalohej, nëse institucionet do të reagonin me kohë

Siguri

Haxhiu për gruan që u vra dje nga burri: Ky krim i rëndë do të parandalohej, nëse institucionet do të reagonin me kohë

news image

Dje një burrë rreth 45 vjeç dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij e më pas edhe veten, në rrugën “Ali Vitia” në lagjen “Emshir” të Prishtinës.

Gazeta Sinjali raportoi gjatë ditës së djeshme se viktima e kishte denoncuar tri herë në polici burrin e saj për dhunë në familje, porse në asnjë rast nuk ka pasur vendim efektiv nga ana e prokurorisë.

Lidhur me këtë ngjarje sot ka reaguar edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se kjo vrasje mund të parandalohej, nëse institucionet do të vepronin me kohë.

“Edhe një grua u vra dje nga ish-bashkëshorti dhe sipas medieve, thuhet se e ndjera kishte denoncuar dorasin në polici më 3 mars të këtij viti. Sikur institucionet të vepronin me kohë, sipas përgjegjësive që kanë, do të mund të parandalohet krimi i rëndë ndaj të ndjerës”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.

Ish-ministrja e Drejtësisë ka thënë se neglizhenca e institucioneve duhet të ndëshkohet.

“Nuk mund të vazhdohet tutje kësisoj, sepse dhuna në familje nuk është çështje private, por përgjegjësi shtetërore. Ata që neglizhojnë raste të tilla duhet të largohen nga sistemi i sigurisë dhe drejtësisë. Nuk mund të ketë vend në sistem për ata që nuk kryejnë detyrat e tyre”, ka përfunduar ajo. /Gazeta Sinjali/