image Haxhiu për gjyqtaren serbe që u suspendua: Cenoi integritetin e sistemit gjyqësor në Kosovë

Drejtësi

Haxhiu për gjyqtaren serbe që u suspendua: Cenoi integritetin e sistemit gjyqësor në Kosovë

news image

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka folur rreth shkarkimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

Ajo tha se Stevanoviq e ka cenuar integritetin e sistemit gjyqësor në Kosovë.

“Kryetarja dhe gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Mitrovicë e kanë për obligim të veprojnë vetëm në përputhje ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi dhe jo të tallen me institucionet. Çfarëdo veprimi sikur ai në takim me Vuqiq është shkelje dhe cenon integritetin e sistemit gjyqësor”, tha Haxhiu.

“Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë është i drejtë dhe në përputhje me ligjin për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve prandaj edhe si të tillë e ka mbështetjen tonë”, shtoi ajo.

Në lidhje me këtë vendim kanë reaguar Aleksandar Vulin dhe Aleksandar Vuçiq.

“Me urdhër të Albin Kurtit, sot është shkarkuar nga institucionet kosovare, gjykatësja Ljiljana Stevanoviq. Për mëngjes (e premte) është përgatitur shkarkimi i të gjithë komandantëve të policisë, të cilët ishin në takimin e Këshillit të Sigurisë Nacionale në Beograd”, ka thënë Vuçiqi.

“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilat shqiptarët padyshim po i përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk thirr takim në Bruksel dhe ndalon çdo lloj dhune kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar me urrejtje”, ka thënë Vulin, përcjell “B92”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në takimin e mbajtur sot, ka marrë vendim që ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq, deri në një vendim të radhës.

Shkaku i këtij vendimi konsiderohet të jetë pjesëmarrja e Stevanoviq në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku u diskutua për vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës. /GazetaSinjali/