Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka shpalosur nismën ligjore për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Ajo përmes një konference për media tha se pensionet kontributdhënëse duhet t’i marrin të gjithë pensionistët për aq sa kanë punuar. E jo të zbatohet udhëzimi administrativ i vitit 2015 që sipas saj është diskriminues dhe se në bazë të tij, pensione marrin vetëm ata që kanë punuar në sistemin okupues.
Deputetja u shpreh optimiste se ky plotësim i ligjit do të gjejë përkrahje tek të gjitha grupet parlamentare, ndërsa adresoi kritika edhe për ministrin e këtij dikasteri, Skënder Reçica.
“Meqenëse qeveria nuk është e gatshme, pensionet kontributdhënëse të marrin të gjithë pensionistët për aq sa kanë punuar. Diskriminuese është se pensione marrin ata që kanë punuar në kohën e ish sistemit. Arsyetimi i ministrit se kemi hartuar një koncept-dokument është një rrugë e gjatë për të vonuar procesin”, tha ajo. /Gazeta Sinjali/