image Haxhiu pas vizitës tek ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Të gjithë janë mirë dhe po qëndrojnë të fortë

Drejtësi

Haxhiu pas vizitës tek ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Të gjithë janë mirë dhe po qëndrojnë të fortë

news image

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për vizitën e  saj në Hagë, ku takoi disa nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Haxhiu ka thënë se të gjithë janë mirë me shëndet, teksa kërkesat e tyre janë adresuar në institucionet kompetente, raporton Gazeta Sinjali.

 “Të gjithë janë mirë me shëndet, po qëndrojnë të fortë. Mendoj se janë disa prej çështjeve që janë serioze dhe i kemi ngritur pastaj edhe tek instancat tjera”, tha Haxhiu.

Ajo ka folur edhe për problemin shëndetësor që ka ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili para arrestimit kishte pasur t’i nënshtrohej një operacioni në këmbë shkaku i plagëve të marra në luftë.

 “Z.Gucati siç na ka njoftuar para se të arrestohej ka pasur që t’i nënshtrohej një operacioni në këmbën e tij të djathtë për shkak të plagëve gjatë kohës së luftës. Mirëpo këtë s’ka mund ta bëjë për shkak të arrestimit dhe tani ka pasur kërkesa të vazhdueshme që t’i nënshtrohet operacionit por kjo gjë nuk i është mundësuar. Tani kishte pasur një vizitë nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe po presin se cilat do të jenë më tutje gjetjet pas kësaj vizite. Ne këtë e kemi ngritur në takimet”, tha ministrja Haxhiu në RTK.

Sipas saj është shqetësues fakti që disa prej tyre po mbahen prej dy vitesh në paraburgim dhe ende nuk ka një seancë gjyqësore.

“Disa prej tyre po mbahen prej dy vjetësh në paraburgim dhe ende nuk ka një seancë gjyqësore. Natyrisht se kjo përbën shqetësim sepse nuk është e lehtë dhe nuk është një standard i drejtë që dikush të mbahen në paraburgim për sa kohë nuk nisin seancat gjyqësore. Për këtë arsyetohen përfaqësuesit e institucioneve në fjalë që çështja është sensitive por kjo nuk është përgjegjësi e personit të arrestuar në këtë rast”, tha ajo.

Haxhiu tha se po tentojnë që të lehtësojnë marrjen e vizave për vizitat e familjarëve.

“Po bëjmë përpjekje që të mundësojmë vizita edhe për prindërit. Nuk e di nëse do të kemi sukses. Është fjala veç për babanë e z. Hysni Gucati sepse të tjerët të cilët i kanë ende prindërit në jetë kanë dy shtetësi”, shpjegoi Haxhiu.

Kujtojmë se Haxhiu në Hagë takoi Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn, por që u refuzua nga ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentari dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

/GazetaSinjali/