image Haxhiu: Nuk arsyetohet mosprania e gjyqtarëve në tryezën e diskutimit për dhunën

Drejtësi

Haxhiu: Nuk arsyetohet mosprania e gjyqtarëve në tryezën e diskutimit për dhunën

news image

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk e ka arsyetuar mungesën e gjyqtarëve në tryezën ku po diskutohet për mbrojtësit e viktimave të dhunës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqtarët e Kosovës do të marrin dënimin e merituar për mospraninë e tyre në tryezën e diskutimit për dhunën.

Kështu është shprehur ajo, në kuadër të tryezës me policë, mbrojtësit e viktimave, strehimoret dhe qendrat për Punë Sociale.

“Më vjen shumë keq që gjyqtarët kryesor të Kosovës nuk janë këtu me ne, sidomos nëse bazohemi në rastin e fundit që ndodhi ne ditën ndërkombëtare të dhunës ndaj grave. Më vjen keq që janë ndalur të vinë sot këtu prej personave kompetent, gjyqtarët e Kosovës dhe për këtë do të dënohen me dënimin e merituar për mos praninë e tyre”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë përgjatë mbledhjes qeveritare se është marrë vendim që të ulen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, para datës se hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017, për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, ka thënë Kurti.

Më 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës.

Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Më 2020, Kurti e pati shfuqizuar këtë vendim, mirëpo atëherë nuk janë prekur pagat në sistemin e drejtësisë.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, paga vjetore e një gjyqtari dhe prokurori në Kosovë varion nga 15 deri në 30 mijë euro.

Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës ka reaguar shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit.

/GazetaSinjali/