image Haxhiu: Një nga synimet e Ministrisë së Drejtësisë është zbardhja e vrasjes së Astrit Deharit

Kosovë

Drejtësi/ Haxhiu: Një nga synimet e Ministrisë së Drejtësisë është zbardhja e vrasjes së Astrit Deharit

news image

Ministrja e re e Drejtësisë, Albulena  Haxhiu ka thënë se një nga prioritetet e ministrisë që ajo drejton do të jetë rasti i Astrit Deharit.

Ajo ka thënë se ministria që drejton do të punojë pandërprerë për të gjitha dyshimet në lidhje me rastin Dehari.

“Një nga synimet e MD-së do të jetë zbardhja e vrasjes së Astrit Deharit. Kemi pasur raporte të ndryshme. E para raporti i institucioneve të Kosovës. Të lëshosh asi raporti duhet të mbash përgjegjësi. Ndërsa raporti zviceran ka thënë se s’bëhet fjalë për vetëvrasje, por për përfshirjen e një personi të tretë në këtë rast. As MD-ja e as Qendra Korrektuese në Prizren s’kanë bërë gjë. Për të gjitha këto dyshime, MD-ja do të punojë pandërprerë”, ka thënë fillimisht ajo në emisionin Interaktiv.

Haxhiu më tutje ka deklaruar se në burgun e Prizrenit do të bëhet një hetim i brendshëm, duke mos përjashtuar se mund të ketë edhe shkarkime, raporton Gazeta Sinjali.

“E para që do ta bëjmë në këtë aspekt, menjëherë do t’i drejtohemi Prokurorisë Speciale, për gjithçka që ka nevojë. Ekspertët zviceranë kanë shprehur gatishmëri që të vijnë në Kosovë. Asnjëherë ish-ministri i Drejtësisë nuk ka folur në publik për këtë rast. Ka njerëz që vdesin në burg, por një aktivist politik që s’ishte marrë në pyetje nga prokuroria, dhe të mos marrësh përgjegjësi… Në burgun e Prizrenit do të bëhet një hetim i brendshëm, dhe mund të bëhen edhe shkarkime. Të gjithë ata që kanë përgjegjësi, natyrisht se do të përgjigjen penalisht. Me atë merret Prokuroria Speciale. Sa i përket MD-së, do të bëjmë punën tonë si asnjëherë më parë. kësaj i shtohet edhe fakti se shoku i qelisë së Astritit, vdiq më pas. Pastaj tjetri kur u thirr si dëshmitar, nuk u gjet nga Policia. Prandaj, ky rast do të jetë prioritet i MD-së”, tha ajo.

Të martën në orën 13:00, Haxhiu tha se do të bëhet pranim-dorëzimi i postit ministror nga ish-ministri Abelard Tahiri./Gazeta Sinjali/