Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkruan se më 14 shkurt, qytetarët kanë votuar edhe për emrin e kandidatit për kryeministër por edhe për emrin e kandidates për presidente. Ky shkrim i saj vjen pas ngjarjeve që ndodhën dje në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Haxhiu ka thënë se dje ka qenë e qartë që VV-ja nuk i pati 80 vota për presidentin.
“Ne kemi qenë transparent para qytetarëve. Mesazhi që kanë dhënë qytetarët ishte i qartë. Por ky mesazh e vullnet nuk po përfillet nga opozita. Sërish po injorohet e shkelet. Ne nuk kemi çfarë t’ju bëjmë atyre që mendojnë që për votën e Presidentit, duhet dhënë terminale doganore, poste diplomatike a tendera. Ka qenë e qartë. Ne nuk i kemi pasur 80 vota për Presidentin”, shkruan Haxhiu.
Haxhiu që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se vetëm moszgjedhja e presidentit të Kosovës, do ta çonte vendin në zgjedhje. Përgjegjësinë e ka hedhur te partitë opozitare.
“Ata që po thonë se e paskemi provokuar situatën me ligjin sepse votat i keni pasur, janë të njëjtit që thonin se A.Veliu nuk është dashur të shkarkohet se ai veprim e provokoi rrëzimin e Qeverisë ani pse dihej që Qeveria s’ka pasur në plan të votohej, po kur u votua ka pasur plan të rrëzohet. Ne nuk i duam zgjedhjet por moszgjedhja e Presidentit e dërgon vendin në zgjedhje prandaj përgjegjësia për këtë i mbetet atyre që e injorojnë vullnetin e qytetarëve dhe e bllokojnë zgjedhjen e Presidentit” shkroi ajo në Facebook. /Gazeta Sinjali/