Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur për dy vrasjet makabre të dy grave, që ndodhën në Kosovë brenda një jave.
Haxhiu ka drejtuar akuza të rënda ndaj sistemit të drejtësisë.
E para e drejtësisë në vend, ka theksuar se si pasojë e neglizhencës së këtij sistemi, dhunuesit po shndërrohen në vrasës.
Haxhiu duke folur për vrasjen makabre të Hamide Magashit, nga ish- bashkëshorti një ditë para se ajo të lindte fëmijën e saj, ka theksuar se posa ka ndodhur kjo vrasje është mbledhur grupi ndërministror. Megjithatë, ka shtuar ajo, se nga sistemi i drejtësisë askush nuk ka marrë pjesë.
“Ne menjëherë pasi ka ndodhur ky rast, jemi mbledhur si grup ndërministror, dhe në bazë të raportimeve që kemi pranuar nga institucionet tjera, edhe pse institiucionet e drejtësisë fatkeqësisht nuk e marrin mundin që të adresojnë shqetësimet e përbashkëta që kemi. Realisht tregojnë mungesë të ndërgjegjies morale e profesionale, duke e bojkotuar shtetin. Edhe në takimin që e kishte ftuar presidentja, ata nuk morën pjesë fare”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, në bazë të informacioneve, del që viktima, e ndjera (Hamide Magashi) e kishte raportuar rastin në korrik të këtij viti, dhe i dyshuari asokohe për dhunë në familje, është liruar në procedurë të rregullt, pavarësisht pse viktima ka pasur dhunë psiçike e fizike.
“Një dhunues, shndërrohet në vrasës, sepse sistemi i drejtësisë nuk i kryen detyrat e tyre. Sepse sistemi i drejtësisë ballafaqohet me një mentalitet patriarkal, ku paragjykojnë dhe neglizhojnë rastet e dhunës në familje”, ka theksuar Haxhiu.
Albulena Haxhiu në “Blic Interview”, ka theksuar se sfidën më të madhe si ministre e ka me sistemin e drejtësisë, i cili sistem sipas saj, nuk është i interesuar t’i kryej detyrat.
“Tash unë si ministre e Drejtësisë, sfidën më të madhe, të cilën duhet ta them hapur dhe me zë të lartë, se sistemi i drejtësisë nuk janë të interesuar t’i kryejnë detyrat e tyre”, tha ajo.
Haxhiu ka shtuar se “siç duket tash së fundi ata kanë treguar se për cka janë të interesuar”.
“Ata janë të interesuar vetëm që ta ruajnë interesin e tyre edhe material, duke u treguar shumë të shpejtë që ta pezullojnë vendimin e qeverisë për pagat e tyre”, tha ajo. E në anën tjetër, shton ajo, të vepronin ashtu për rastet e dhunës, sigurisht që pasojat do të ishin më të vogla.