Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se nga sot ka filluar “Java kundër Korrupsionit” dhe e cila përfundon më 9 dhjetor.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se Kosova gjatë qeverisjes së LVV-së ka pasur rezultate pozitive në luftimin e korrupsionit.
“Kosova nën qeverisjen tonë ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit, kjo vërtetohet edhe në raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare si Transparency International dhe WorldJustice, të cilat Republikën e Kosovës e kanë renditur lartë si kurrë më parë”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, puna dhe përkushtimi i Qeverisë në luftën kundër korrupsionit vazhdon të jetë e intensitetit të njëjtë.
“Kjo javë e gjen Republikën e Kosovës me iniciativa reformuese si Vettingu e Byroja Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pakoja e ligjeve për Prokurorinë bashkë me Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit e deklarimin e pasurisë”, tha Haxhiu.
Ministrja Haxhiu tha se “këto janë dëshmi e përkushtimit për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në secilin sektor. Përshëndes aktivitetet e shoqërisë civile dhe zotohem për bashkëpunim në jetësimin e reformave”.