Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që Kodi Civil të votohet.
Ndonëse është rrëzuar herën e parë, Haxhiu ka thënë se nuk është mirë për Kosovën që mos ta votojë një dokument që ka të bëjë me të drejtat e njeriu.
“Ju e dini se unë kam dhënë qëndrim sa i përket Kodit Civil dhe unë kam dhënë qëndrim sa i përket rrëzimit nga ana e Kuvendit, megjithatë ka qenë nën mandatin e tyre që ta vlerësojnë ashtu, paraprakisht ne duhet të sigurohemi që Kodi Civil kalon dhe për këtë arsye kjo na ka marrë kohë sepse jemi në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar dhe natyrisht se kemi nevojë edhe për ndihmën e opozitës.”
“Tendenca është që i njëjti të kalojë dhe mos ta ketë fatin që siç e ka pasur në të kaluarën. Nuk mendoj që është mirë për Kosovën që ne pretendojmë që të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës që mos ta votojmë në dokument që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, prandaj uroj që të kalojë në Kuvendin e Kosovës” përfundoi Haxhiu./EO