Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka kërkuar nga Ministria e Financave që t’u ndajë shtesat edhe punonjësve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), shkruan Gazeta Sinjali.
Haxhiu tha se kërkesa e saj drejtuar ministrit Besnik Bislimi ishte që shtesat t’u ndahen edhe zyrtarëve të SHKK-së të cilët kanë qenë direkt të ndërlidhur me zbatimin e masave kundër përhapjes dhe kontrollit të koronavirusit.
“Pas kërkesave të shumta nga zyrtarët e ShKK, po atë ditë (të premten) i kam shkruar zyrtarisht Ministrit të Financave dhe kam kërkuar gjetjen e mundësive që edhe shërbimi korrektues të jetë i përfshirë në pakon e planifikuar. Kam kërkuar po ashtu nga drejtori i ShKK, raport për zyrtarët që kanë qenë direkt të ndërlidhur me zbatimin e masave kundër COVID në burgje. Pas dorëzimit të këtij raporti, të njëjtin do ta përcjellë edhe në Ministri të Financave dhe së bashku do të shohim mundësitë e përfshirjes së tyre”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ministria e Drejtësisë premtoi se personeli i Shërbimit Korrektues do ta kenë mbështetjen e saj, pasi, siç thotë ajo, deri tani kanë qenë në krye të detyrës dhe të përkushtuar për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të burgosurve.
Kujtojmë që kërkesa për përfshirjen e tyre në listën e atyre që do të shpërblehen nga qeveria, Haxhiut i ishte drejtuar të premten nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Shërbimit Korrektues, Zenun Sadikaj.
Sadikaj kishte kërkuar nga ministrja që të ushtrojë autoritetin e saj dhe të përfshihen edhe ata në këtë listë, pasi sipas tij edhe punëtorët e Shërbimit Korrektues po punojnë me përkushtim për të mbajtur situatën nën kontroll dhe kanë përgjegjësi të madhe. /GazetaSinjali/