image Haxhiu i PDK-së: Kurti mbylli qendrën e vaksinimit në Prishtinë, ndërsa vetë votoi në qendrën e votimit në Tiranë

Politikë

Haxhiu i PDK-së: Kurti mbylli qendrën e vaksinimit në Prishtinë, ndërsa vetë votoi në qendrën e votimit në Tiranë

news image

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar pjesëmarrjen e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në procesin e votimit në Shqipëri, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas Haxhiut, Kurti do të duhej të merrej me sigurimin e vaksinave antiCOVID dhe jo me zgjedhjet në Shqipëri.

“Qendra e vaksinimit në Prishtinë është e mbyllur! Kjo ngase nuk ka vaksina. Kryeministri i Kosovës ka mbyllura Qendrën e vaksinimi në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ndërsa ai vetë votoi në Qendrën të votimit në Tiranë. Në vend se të merret me shpëtimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, ka vendosur që prioritet t’i ketë zgjedhjet atje dhe politikën ta zhvillojë në Shqipëri”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Deputeti i PDK-së ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Kurti do të duhej të bashkëpunonte me qeverinë shqiptare atje për të siguruar vaksinat, e jo të bëjë konkurrentin politik në Shqipëri.

“Qeveria Kurti 2 në vend të bashkëpunimit me Shqipërinë për të siguruar vaksinat për të moshuarit dhe mësimdhënësit, ka vendosur të bëjë konkurrentin politik në Shqipëri, e në anën tjetër qytetarët e Kosovës nuk mund të vaksinohen nga paaftësia e qeverisjes së tij për të siguruar vaksinat”, ka shkruar tutje atje.

Ai ka publikuar disa fotografi nga Qendra e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, të cilat thotë se janë realizuar mëngjesin e sotëm, ku shihen disa qytetarë, të cilët ai thotë se po kthehen mbrapsht, pasi që qendra është e mbyllur.

“Foto e publikuar është sot në orën 9:15, te Qendra “1 Tetori” në Prishtinë, ku qytetarët kthehen mbrapsht, jo vetëm për mungesë të vaksinave, por edhe të informatave për to, në kohën kur Kurti votonte në Shqipëri. Këta jo vetëm që nuk dinë të punojnë dhe nuk bënë asgjë për të siguruar vaksinat, por as mundësitë që ua dhamë nuk i shfrytëzuan”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/