Albulena Haxhiu, e cila është pjesë e ekipit punues të LVV-së, ka folur para takimit të dytë me grupin punues të LDK-së.
Ajo ka theksuar dialogun me Serbinë, si temë e rëndësishme e takimit të sotëm mes këtyre dy partive, shkruan Gazeta Sinjali.
“Janë disa çështje të cilat do diskutohen dhe që i kemi diskutuar pak a shumë edhe në takimin e kaluar. Por sot do të flasin më gjerësisht. Njëra prej çështjeve që do të diskutohet do jetë edhe dialogu me Serbinë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo beson se do të gjejnë pajtim për të qeverisur bashkë me LDK-në “duke marrë parasysh bashkëpunimin dyvjeçar me LDK-në që kemi pasur në kohën sa kemi qenë në opozitë”.
“Ky bashkëpunim na ka shërbyer edhe për harmonizim të qëndrimeve, sepse ju e dini që bashkërisht e kemi kundërshtuar shkëmbimin territorial, bashkë e kemi kundërshtuar projektligjin për dialogun në Gjykatën Kushtetuese”, tha Haxhiu.
Takimi i sotëm mes LVV-së e LDK-së është paraparë të zhvillohet nga ora 15:00. /Gazeta Sinjali/