Dy figurat e larta të Lëvizjes Vetëvendosje, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë refuzuar që të pohojnë se do ta respektojnë dhe pranojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.
Të pyetur më shumë se 5 herë nëse do ta pranojnë çfarëdo vendimi të Kushtetueses, Haxhiu dhe Sveçla refuzuan të thonë se do ta respektojnë vendimin e organit më të lartë gjykues të ligjshmërisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Madje, Haxhiu ka thënë se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetueses janë të ndikueshëm.
Të dy përfaqësuesit e LVV-së, në Rubikon janë shprehur se Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të pretendimeve të tyre, ndonëse kanë lënë të hapur mundësinë e një revoltimi nëse aktgjykimi i shumëpritur do t’ua merrte pushtetin dhe do t’ia jepte dritën e gjelbër formimit të Qeverisë Hoti. /Gazeta Sinjali/