Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga përfundimi i luftës, Kosova ende nuk e ka asnjë institucion për t’i dokumentuar krimet e kryera.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vlerëson se qeveritë e kaluara nuk kanë bërë asgjë për këtë çështje.
Ajo thekson se kanë nisur punën sa i përket hartimit të Projektligjit për themelimin e Institutit ku do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
“Ne kemi pasur një institut për krime të luftës, por ka qenë me vendim, pra jo me ligj dhe në të njëjtin ka pasur kapacitete njerëzore për ta bërë dokumentimin e krimeve të luftës. Në këtë drejtim ne kemi nisur punën sa i përket hartimit të Projektligjit për themelimin e Institutit ku do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë”, tha ajo.
“Është formuar grupi punues pas kalimit të koncept dokumentit në Qeveri për të pasur një pasqyrë të qartë të gjendjes në këtë drejtim. Grupi punues është duke u takuar për të diskutuar për këtë institut. Po ashtu kemi shtuar kapacitet për Prokurorinë Speciale të prokurove që do merren me rastet e krimeve të luftës dhe strategjinë për drejtësi tranzicionale si dhe kemi eliminuar të metat që kanë qenë në Kodin e Procedurës Penale për gjykimin në mungesë të kriminelëve serb”, shtoi tutje ministrja.
Sipas saj, Prokuroria i ka duart e lira të veprojë në këtë drejtim për faktin se Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës.
“Mirëpo me legjislacionin tonë në mungesë mund të dënohen dhe pastaj të vuajnë dënimin për krimet që kanë bërë”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se partia që përfaqëson e ka kundërshtuar fuqishëm themelimin e Gjykatës Speciale, sepse ajo po paraqet një pasqyrë të shtrembëruar për luftën e drejtë në Kosovë.
Megjithatë, Haxhiu theksoi se do të shihen të gjitha alternativat se çka mund të bëhet sa i përket “zhbërjes” së kësaj gjykate. Ajo thotë se Kosova i ka dyert e mbyllura me amendamentin e ndryshuar për themelim në Kushtetutë.
“Një nga subjektet kryesore në Kosovë është VV-ja që ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Pikërisht për faktin se kemi konsideruar se Gjykata Speciale do të paraqesë një pasqyrë të shtrembëruar për luftën e drejtë në Kosovë. Mirëpo edhe përkundër kundërshtimeve tona edhe në Gjykatën Kushtetuese, nuk kem pasur mundësi ta ndalojmë. Tani na kanë mbyllur derën për çfarëdo veprimi tjetër sepse siç jeni në dijeni Gjykata Speciale është futur në Kushtetutë dhe nuk mund ta heqim”.
“Ministria e Drejtësisë i ka dyert e mbyllura në çdo aspekt në Gjykatën Speciale përveçse kemi divizionin për mbrojtje juridike dhe financiare të personave që janë në Hagë dhe jemi duke kryer përgjegjësitë tona në raport me mbrojtjen”, tha Haxhiu. “Do të shohim edhe alternativa të tjera se çka mund të bëjmë në këtë drejtim, mirëpo unë nuk jam shumë optimiste që Kosova ka ndonjë mënyrë sepse na kanë mbyllur dyert me amendamentin në Kushtetutën e Kosovës”.
Haxhiu ka thënë se janë duke punuar në aspektin e draftimit të amendamenteve kushtetuese, për çështjen e vettingun në sistemin e drejtësisë.
Madje, ajo tha se ka ftuar subjektet politike në takime të ndara që të diskutojnë për vettingut, sepse amendamentet mund të votohen veç nëse kanë dy të tretat e deputetëve shqiptarë dhe në anën tjetër dy të tretat e komuniteteve që përfaqësojnë qytetarët jo shumicë, raporton EO.
Haxhiu tha se Qeveria dëshiron që Kosova të jetë shtet i së drejtës, sepse çfarëdo kritike që i bëhet sistemit të drejtësisë ndodhin për shkak të skandaleve dhe me këtë rast krijohet barrikadim dhe akuza të pabaza./GazetaSinjali/