Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po e akuzon ish-ministren e këtij dikasteri, Dhurata Hoxha, për marrjen e paligjshme të incizimeve të kamerave në kohën kur ka vdekur Astrit Dehari.
Haxhiu në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7 tha se këtë informatë për ish-ministren Hoxha e ka marrë nga persona që kanë punuar dhe janë duke punuar aktualisht në Ministrinë e Drejtësisë.
“Unë nuk mund të përmend emra të përveçëm, se normalisht që i ruaj personat që na kanë dhënë informacione, pasi aktualisht punojnë në MD. Unë mendoj që secili i di detyrat dhe përgjegjësitë që ka, sigurisht që ndoshta për arsye të ndryshme po të urdhëroja unë të paligjshme, e që nuk ndodh, gjithkush e dinë që unë nuk i tejkalojë detyrat e mija”, tha ajo.
Tutje, Haxhiu tha se beson që ish-ministrja Hoxha e ka urdhëruar marrjen e incizimeve në mënyrë të paligjshme.
Haxhiu shtoi se nuk e dinë arsyen pse i janë dashur Hoxhës këto incizime, por thotë se ka obligim ndaj qytetarëve që të dalë e të flasë lidhur me rastin.
“Duke i njohur personat që jemi duke i përmendur, besoj që qëndron që Dhurata Hoxha ka dhënë urdhër për t’i pasur këto incizime, pse i janë dashur asaj unë nuk e di. Ajo ia ka borxh qytetarëve që të dalë të flasë lidhur me këtë. Janë 3 apo katër persona që mund ta konfirmojnë këtë që po e them”, tha ajo.