image Haxhiu drejtuar opozitës: Ia keni zënë frymën sistemit të drejtësisë për interesat e juaja personale

Politikë

Haxhiu drejtuar opozitës: Ia keni zënë frymën sistemit të drejtësisë për interesat e juaja personale

news image

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se rrëzimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial nga Gjykata Kushtetuese nuk është lajm i mirë për sistemin e drejtësisë, por është lajm i mirë për partinë opozitare dhe grupet e interesit të sistemit të dritësisë, të cilët sipas saj ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë.

“Lidhur me aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese për Ligjin për KPK-në, nuk është lajm i mirë për drejtësinë, është lajm i mirë vetëm për juve si parti opozitare dhe grupeve të interesit brenda sistemit të drejtësisë, të cilat ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit ka thënë se përgjegjës për këtë janë vet ata dhe vet sistemin i drejtësisë.

“Sa kanë përgjegjësi sistemi i drejtësisë për mosveprim dhe për neglizhencë, po aq keni edhe ju përgjegjësi që e keni ndryshuar e shtrydhur sistemimin e drejtësisë për interesat e juaja personale. Me qeverinë Kurti nuk do të ndodhë më ashtu, sistemi i drejtësisë do të jetë i pavarur, transparent, efikas, e llogaridhënës”, tha Haxhiu.

Sipas saj, aktgjykimi i Kushtetueses është lajm i keq për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët sipas saj, mbështetja që kanë marrë si parti nga qytetarët kanë qenë zotimet e tyre për drejtësi dhe punësim.

“Qytetarët janë të etur për drejtësi, qytetarët e duan sundimin e ligjit, shtetin e së së drejtës, prandaj aktgjykimi është lajm i keq për qytetarët e Republikës së Kosovës për shtetin e së drejtës dhe për sundimin e ligjit”, tha Haxhiu.

Ajo në fund ka thënë se nuk do ta lejojmë korporatizmin brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese, të mërkurën ka publikuar aktgjykimin e plotë, me të cilin është rrëzuar Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), vitin e kaluar.

Gjykata Kushtetuese, pas vlerësimit të Ligjit bazuar në kërkesat e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së theksoi se disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

/GazetaSinjali/