Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur kohën se kur do të sillen të burgosurit nga Danimarka në burgun e Gjilanit.
Përmes një konference të përbashkët për medie me homologun e saj danez, Nick Hækkerup, Haxhiu ka thënë se qëllimi është që marëveshja ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për të burgosurit të finalizohet sa më shpejt, raporton Gazeta Sinjali.
“Qëllimi ynë është që kjo marrëveshje të finalizohet sa më shpejt. Planifikojmë që në fillim të muajit maj, ende nuk është vendosur data se kur do të finalizohet marrëveshja dhe kur do të procedohet në kuvendet e të dyja vendeve. Synimet tona janë që sa më parë kjo marrëveshje të finalizohet”, ka thënë ajo.
Haxhiu njoftoi se paraprakisht do të bëhen edhe përmirësime dhe renovime në burgun e Gjilanit.
“Do të bëhen edhe përmirësime dhe renovime në burgun e Gjilanit, sepse ka nevojë dhe kur kjo qendër të jetë gati do ta njoftojmë Danimarkën dhe pastaj do t’i sjellë të burgosurit”, ka thënë Haxhiu.