Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e konsideron Prokurorinë përgjegjëse kryesore për vrasjen e Hamide Magashit nga ish-bashkëshorti i saj, i cili më pas u vetëvra.
Haxhiu thotë se si grup ndërministror kundër dhunës në familje, kanë pranuar tri raportet inspektuese, por që veprime deri tani janë ndërmarrë vetëm nga Inspektorati Policor.
“Sipas informacioneve të deritanishme që i kemi, dështimi kryesor është te Prokuroria…Tashmë ne kemi tri raportet por që masa janë ndërmarrë deri tani vetëm sa i përket zyrtarëve policorë që dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet sepse nuk kanë pas kontakt me viktimës, ndërsa në dokumente shkruan se kanë pasur. Jam shumë e brengosur për mënyrën se si është bërë raporti i inspektoratit shëndetësor sepse aty as nuk kërkohet asnjë masë për personat të cilët mund të konsiderohen përgjegjës, përveç krijimin e protokolleve të reja dhe kujdesit që duhet ndaj pacientëve apo grave që lindin dhe sa i përket Qendrave për Punës Sociale, ndonëse evidentohet në disa raste se nuk kanë funksionuar siç duhet, nuk kemi masa që duhet të ndërmerren. Megjithatë inspektorati është arsyetuar që raportin e kanë dërguar te komunat, sepse siç e dini komunat në këtë rast e Shtimes, Lipjanit, Ferizajt, kanë qenë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve ndaj viktimës dhe raportet janë dorëzuar drejtorive komunale, dhe unë kam marrë përgjegjësinë t’u shkruaj kryetarëve të komunave dhe po presim të ndërmerren masa në raport me përgjegjësinë “, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu insiston që të gjithë ata zyrtarë që nuk ishin në krye të detyrës për rastin e të ndjerës Magashi, duhet të ndiqen penalisht.
“Sipas informacioneve që i kemi të gjitha raportet do t’i dërgojmë në Prokurori sepse duhet të ndiqet penalisht secili prej zyrtarëve përgjegjës që nuk e ka kryer detyrë. Pavarësisht se ne konsiderojmë se nuk janë ndjekur procedurat standarde të veprimit nga Qendrat për Punë Sociale, në punë të madhe dhe institucionet tjera, ende nuk i kemi raportet për mbrojtësit e viktimave sepse kjo është në kuadër të Prokurorisë…Përgjegjësinë më të madhe në këtë rast ne e shohim te prokuroria sepse sikur Prokuroria të ndërmerrte veprime asokohe, situatën do ta kishim ndryshe dhe kjo nuk është hera e parë“, theksoi ajo.