Deputetja Teuta Haxhiu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në seancën plenare për formimin e ekzekutivit të ri, tha se kjo qeveri do të ketë javët e shkurtra.
Sipas saj, Albin Kurti për të arritur synimet e tij, me ego të pa përmbajtur është në gjendje të sakrifikojë edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.
Haxhiu madje edhe pati dilema nëse kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka dhënë dorëheqje ose jo.
“Pyetja jonë në radhë të parë është se a ka dhënë dorëheqje Konjufca apo jo. Për këtë ende nuk po e dimë… Jo, po deklarohet”, tha ajo.
Për vendimin e 26 dhjetorit, kur u votua posti i kryeparlamentarit, deputetja Haxhiu tha se anëtarë të LVV-së kishin deklaruar të bindur se nuk do të japë dorëheqje.
“Sa i përket fjalës të Albin Kurtit gjatë gjithë kohës me vëmendje e dëgjuam dhe çfarë na kujtoi ishin me video-lojërat të ditëve të fundit kur nuk takoheshin me Isa Mustafën apo kur takoheshin për të mos u takuar, apo kur dakordoheshin për të mos u dakorduar. Krejt çfarë dëgjuam. Ujdi-monarkësh e ugur fatkeq ishte rrëfimi i ditëve të fundit momenti kur e pat quajtur vetëm pak ditë më parë largimin e Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës më i eturi për pushtet i ditëve të fundit Albin Kurti, i cili për të arritur synimet e tij madje me një ego të pa përmbajtur është në gjendje të sakrifikoj edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë”, tha Haxhiu.
Kurti sipas saj ka bërë ‘kurban’ Glauk Konjufcën, ashtu siç e bëri Mustafa Vjosa Osmanin.
“Duke i gëlltitur fjalët dhe shkelur parimet tashmë synon kreun e ekzekutivit kosovar. Në fakt, monarku është vetë Albini që me sjellje gjithnjë arrogante dhe fjalët e veta të përtypura delegjitimoi institucionin demokratik, me marrëveshjen ose ujdinë e tij monarkiste që e bëri kurban Konjufcën. Me të vetmin qëllim që të vij vet në pushte, njëjtë siç e bëri kurban edhe Isa-Vjosën”, u shpreh ajo.
Kjo qeveri sipas saj javët do t’i ketë të shkurta, pasi ky koalicion do të karakterizohet me mashtrime të mëdha.