Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka reaguar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila shpërndau një citat që sipas saj e ka thënë një analist serb se Albin Kurti ‘nuk ka dosje kriminale të UÇK-së’.
Thaçi i drejtohet deputetes me pyetjen se ‘çfarë krimi ka bërë UÇK-ja?’, duke mos ia përmendur emrin.
Thaçi shkruan se është krenar që ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe Drejtor Politik i saj, “kjo vetëm sa më bën më të fortë mua dhe gjithë bashkëluftëtarët e UÇK-së”, transmeton Gazeta Sinjali.
Postimi i tij i plotë:
Jam krenar që kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj. Ka qenë nderi më i madh në jetën time që ta barti uniformën e UÇK-së dhe të jem Drejtor Politik i saj.
Ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo.
Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse “nuk ka dosje kriminale të UÇK-së”.
E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja?
UÇK ka pasur vetëm një mision – dëbimin e Serbisë nga Kosova.
UÇK ëndrrën e popullit të Kosovës e bëri realitet. Fituam lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin.
Etiketimet e tilla për UÇK-në, projektin më madhor kombëtar, i kemi dëgjuar vetëm në Beograd dhe në Moskë.
Po e përsëris: Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së dhe Drejtor Politik i saj. Kjo vetëm sa më bën më të fortë mua dhe gjithë bashkëluftëtarët e UÇK-së.
Ne jemi me fat që kemi bindur aleancën më të fuqishme ushtarake të botës, NATO-n, që të na dalë në ndihmë dhe së bashku ta çlirojmë vendin tonë.
Çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e Kosovës. HTH /Gazeta Sinjali/