image Hashim Thaçi i fali 4 vite burgim të dënuarit për tentim vrasjen e ish-zyrtarit të LDK-së, Adem Salihaj

Kosovë

Hashim Thaçi i fali 4 vite burgim të dënuarit për tentim vrasjen e ish-zyrtarit të LDK-së, Adem Salihaj

news image

Vetëm një ditë para se të dorëhiqej nga posti i presidentit, Hashim Thaçi, i fali 4 vite burgim Shpresim Ukës, i dënuar për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentim vrasjen e ish-zëvendëskryeministrit të LDK-së, Adem Salihajt, shkruan Gazeta Sinjali.

Por kush është Shpresim Uka, njëri nga të falurit e presidentit?

Shpresim Uka, ishte gjykuar në rastin “Bllaca” dhe ishte dënuar me 15 vjet burgim, raporton Sinjali.

Pas dënimit që mori në vitin 2012, Shpresim Uka ishte arratisur dhe nuk ishte kapur deri në nëntor të vitit 2015. Më 11 nëntor të atij viti, ai u arrestua nga Policia e Kosovës në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, pas disa viteve në arrati.

Uka bashkë me Sadik Abazin, Bekim Sylën, Fahredin Gashin dhe Nazim Bllacën ishin dënuar për vrasjen e Ibush Kllokoqit.

Sipas aktakuzës ndaj tyre, Sadik Abazi, Bekim Syla, Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka në bashkëkryerje me Nazim Bllacën (i deklaruar si dëshmitar bashkëpunues nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë) kanë kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë”, raporton Gazeta Sinjali.

Në të njëjtën aktakuzë thuhet se të pandehurit akuzohen se më 6 gusht të vitit 1999, kanë vrarë Ibush Kllokoqin duke e lënë të vdekur me disa të shtëna me armë zjarri.

Ndërsa në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se Shpresim Uka, Bekim Syla, Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Driton Hajdari akuzohen në bashkëkryerje me Nazim Bllacën kanë kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë”, duke tentuar ta vrasin Ismet Arifin, pasi që kanë shtënë disa herë në drejtim të tij.

Në pikën e tretë të aktakuzës, për të cilën të pandehurit Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla u shpallën fajtorë, akuzohen se së bashku me Nazim Bllacën më 12 qershor 2000 kishin tentuar të vrisnin Adem Salihajn. Vepra ishte kualifikuar si vrasje e rëndë në tentativë.

Këtë pikë të aktakuzës, gjykata e rikualifikoi juridikisht duke e bërë në “Kidnapim i mbetur në tentativë”, ashtu që edhe këtë pikë të aktakuzës e refuzoi pasi që ishte parashkruar.

Shpresim Uka nuk ishte i akuzuar vetëm në këtë rast, pasi që ai është pjesë edhe e aktakuzës së ngritur nga prokurori italian Danillo Ceccarelli për rastin “TOKA”, ku akuzohet për krim të organizuar.

Sipas aktakuzës të Prokurorit Special, Shpresim Uka dhe 12 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar, ku nga viti 2006 deri në vitin 2016, në territorin e Kosovës, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Përveç Shpresim Ukës, sipas dekretit të ish-presidentit Thaçi u falën edhe këta të dënuar: Bekim Sylaj, Ilir Morina, Veton Gjoshi dhe Safet Haliti.

/GazetaSinjali/