image Hasani: Qeveria nuk është punëdhënës i mësimdhënësve, s’ka të drejtë t’ua ndalojë pagat

Arsim

Hasani: Qeveria nuk është punëdhënës i mësimdhënësve, s’ka të drejtë t’ua ndalojë pagat

news image

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Qeveria nuk ka të drejtë t’ua ndalojë pagat punëtorëve të arsimit sepse nuk është punëdhënësi i mësimdhënësve.

Hasani ka thënë se punëtorët e arsimit duhet t’i ndjekin rrugët ligjore për të siguruar pagat e tyre, duke shtuar se Qeveria nuk mund t’ia ndalë pagat askujt.

“Kjo i takon një dimensioni që ne e quajmë pagë apo kompensim material, që e marrim sipas një kontrate. Problemi themelor këtu është se në një sistem kushtetues çfarë jemi ne për ndarjen dhe balancimin e pushteteve, Qeveria ekzekuton ligje dhe nuk i interpreton ligjet, përveç rregullativës së brendshme për aq kohë sa ato nuk afektojnë liritë e drejtat e njeriut sepse edhe atëherë ka një mekanizëm vertikal që e mbikqyrë punën e ekzekutivit. Kuvendi i nxjerr ligjet dhe interpretuesi i tyre është gjykata”, ka theksuar Hasani në RTK.

Sipas Hasanit, kjo çështje do të thotë se “jemi para ndëshkimit, para një represioni ligjor, në të cilin janë afektuar qindra punëtore të arsimit për pjesëmarrjen në grevë.”

“Problemi themelor që e bën jolegjitim dhe jo të ligjshëm këtë veprim sipas kushtetutës dhe standardeve të Strasburgut, e të cilat çdo autoritet përfshirë edhe Qeverinë duhet t‘i zbatojë kur thirret për lirinë dhe të drejtat e njeriut është se këtu nuk shtrohet çështja nëse ka drejtë dikush ose nëse ecë rroga në ndërkohë që nuk punon dhe bën grevë. Ligji flet për punëdhënës sepse vetëm punëdhënësi ka të drejtë të bëjë ndalimin e ekzekutimit të pagave. Qeveria nuk është punëdhënës jo vetëm i arsimit fillor dhe të mesëm por as i Universiteteve publik, por edhe një pjesë goxha e madhe e administratës është pjesë e atyre agjensioneve të pavarura që shpesh quhen si pushtet i tretë apo amortizues i pushtetit politik në shoqëri”, ka theksuar Hasani.

/GazetaSinjali/