Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vizituar Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku ka vlerësuar angazhimin e ekipeve të numërimit dhe vëzhguesve, si dhe masat e reja të transparencës që janë në fuqi.
Ai ka theksuar se, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, partitë politike duhet të marrin përgjegjësinë për krijimin e institucioneve.
Jonathan Hargreaves, gjatë vizitës në QNR, ishte i shoqëruar nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, si dhe ushtruesja e detyrës së shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
“U bashkova me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, dhe me ushtruesen e detyrës së shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, në një vizitë në qendrën e numërimit të votave në Prishtinë. U impresionova nga angazhimi i ekipeve të numërimit dhe vëzhguesve dhe u interesova për masat e reja të transparencës që janë futur në fuqi. Sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, do të jetë koha që partitë politike të bëjnë pjesën e tyre dhe të krijojnë institucionet.”, shkroi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!