Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Ditën e Mësuesit, e ka kujtuar sakrificën e mësuesve shqiptarë që e kanë bërë ndër breza.
Haradinaj këtë e ka bërë përmes një fotografie të tij nga klasa e katërt, të publikuar në rrjetin social Facebook, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai më tej ka thënë se ndjehet tejet krenar që falë një vendimi gjatë qeverisjes së tij, tanimë mësimëdhënësve të viteve 90-ta, u njihen kontributet nga shteti.
“Më së vështiri e patën mësuesit e nxënësit e viteve të nëntëdhjeta, të cilët në kushte shumë të vështira është dashur që të mësonin, edhe kur regjimi atëherë ua ndaloi mësimin qytetarëve të Kosovës veç pse flisnin shqip. Tashmë, mësimdhënësve të kësaj periudhe u njihen kontributet edhe nga shteti, falë një vendimi të qeverisë, për të cilin jam shumë krenar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare, sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, e cila është një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.
Më 7 mars 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Kjo ngjarje ishte një fitore për popullin shqiptar, pasi deri në atë kohë mësimet mbaheshin në shtëpi private dhe në mënyrë të fshehtë. Kjo shkollë qëndroi e hapur për 15 vjet./Gazeta Sinjali/