image Haradinaj-Stublla reagon pas akuzave për manipulim të votave

Haradinaj-Stublla reagon pas akuzave për manipulim të votave

news image

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pasi kandidatja për deputete e AAK-së, Florentina Gjergjaj, e ka akuzuar atë për manipulim të votave në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Gjergjajt, Haradinaj-Stublla duke qenë ministre në detyrë ka përdorur ndikimin e saj tek personat përgjegjës në QNR, për të manipuluar votat në favor të saj.

Kryediplomatja ka reaguar duke thënë se kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë për shpifjet dhe fyerjet e bëra.

“Për shpifjet dhe fyerjet kundër meje të cilat po qarkullojnë në disa portale, kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë. Disa herë kam garuar në të kaluarën, dhe pavarësisht rezultatit, gjithmonë kam respektuar vullnetin qytetar”, ka shkruar në Facebook Haradinaj-Stublla.

Për Florentina Gjergjajn, kandidaten e AAK-së nga Gjakova, është i çuditshëm dhe shumë i dyshimtë edhe fakti se si në rezultatet e 01.03.2021, të nxjerra nga QNR-ja, ajo dhe Meliza Haradinaj figurojnë me numër të barabartë të votave, pas numërimit të votave me kusht.

Sipas dëshmive që Gjergjaj i ka bashkangjitur në PZAP, të gjithë kandidatët tjerë të AAK-së kanë patur ndryshime të vogla në shifra votash, sikurse edhe vetë ajo, për dallim nga Meliza Haradinaj e cila sipas atyre rezultateve është e vetmja që është ngritur dhe është pretenduar se ka fituar 1/3-en e votave me kusht që i kanë takuar AAK-së, gjë që as në këtë rast se ka arritur as lideri i partisë Ramush Haradinaj që ka qenë edhe bartës i listës./Gazeta Sinjali/