Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka pritur sot në takim ambasadorin britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilën thotë se kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe kanë shkëmbyer pikëpamje rreth dialogut me Serbinë, Marrëveshjen e Washingtonit për normalizim ekonomik dhe implementimin e saj.
Shefja e diplomacisë kosovare ka theksuar nevojën e përfshirjes aktive të Mbretërisë së Bashkuar në dialogun Kosovë – Serbi.
“Theksova nevojën e përfshirjes aktive të Mbretërisë së Bashkuar në epilogun e dialogut me Serbinë, si palë hisedare në të arriturat e deritanishme të Kosovës. E falënderova për gjithë përkrahjen e vazhdueshme dhënë Kosovës, veçanërisht përmes Bursës Chevening, program nga i cili këtë vit do të përfitojnë plot 11 studentë nga Kosova për të studiuar me bursë të plotë në Mbretërinë e Bashkuar”, ka shkruar ajo në Facebook./Gazeta Sinjali/