Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se kërcënimet që kanë për qëllim ndryshimin e Kushtetutës për të akomoduar të ashtuquajturën “Republika e Dodikut” brenda Kosovës do të dështojnë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Kërcënimet dhe diskutimet deluzionale që kanë për qëllim ndryshimin e Kushtetutës për të akomoduar të ashtuquajturën ‘Republika e Dodikut’ brenda Kosovës – në realitet për të sjellë sërish idenë e shkëmbimit të territorit dhe kufijve etnikë si diçka më pak se të rrezikshme në këtë krahasim. Lajm i mirë të dyja do të dështojnë sërish”, shkroi ajo në Twitter.
Gjithashtu, kryediplomatja kosovare u shpreh se Serbia duhet të kërkojë falje për gjenocidin e shkaktuar, të respektojë 33 marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me objektivin e qartë për njohje reciproke.
“Kosova është e zotuar për dialog konstruktiv me Serbinë, kërkimfalja dhe drejtësia për krimet gjenocidale të Serbisë në vitet e 90’ta, kthimin e menjëhershëm dhe informatat për personat e zhdukur në varrezat masive në Serbi dhe respektimin e 33 marrëveshjeve teknike me objektivin për njohje reciproke në kufijtë aktualë”, përfundoi ministrja e Jashtme./Gazeta Sinjali/