image Haradinaj: Sipas planit franko-gjerman, Kosova e Serbia dy shtete që s’bëjnë dashni shumë

Politikë

Haradinaj: Sipas planit franko-gjerman, Kosova e Serbia dy shtete që s’bëjnë dashni shumë

news image

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se plani i ashtuquajtur franko-gjerman, që përflitet si kornizë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është praktikisht njohje e Kosovës nga Serbia.

Haradinaj ka thënë se plani franko-gjerman përfshin edhe faktorin amerikan dhe fuqi të tjera perëndimore.

Sipas Haradinajt, Kosova dhe Serbia trajtohen si shtete në këtë marrëveshje, që sipas tij, nuk duan të shprehin shumë dashuri të ndërsjellë.

“Kosova në njëfarë mënyre e ka njohjen në këtë marrëveshje. Kudo që do të ballafaqoheni me këtë, do ta shihni, është njohje, në bazë të kartës së OKB-së. Të dyja janë shtete, por nuk duan të bëjnë dashni shumë. Në fakt duan, përmes Procesit të Belinit”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se me këtë marrëveshje SHBA ia heq Kosovës varshmërinë nga Serbia në aspekt shumëdimensional.

“Amerikanët në njëfarë mënyrë do ta heqin Kosovën nga varshmëria ndaj Serbisë në cilindo aspekt të ekzistencës. Serbia ndoshta nuk do t’i hiqet varshmëria ndaj Kosovës, do të thotë a na njihni për të hyrë në BE”, ka deklaruar ai në Pressing të T7.

Haradinaj ka thënë se nënshkrimi amerikan në marrëveshje i jep garanci marrëveshjes që mund të arrihet.

“Është mirë me qenë nënshkrimi amerikan në marrëveshje. Unë supozoj që duhet të jetë nënshkrimi, të paktën i Sekretarit të Shtetit, në këtë marrëveshje. Kjo është garancia që i duhet marrëveshjes”, ka thënë ai.

/GazetaSinjali/