image Haradinaj refuzoi ta takojë, Rama thotë se do ta tërheq padinë ndaj tij

Politikë

Haradinaj refuzoi ta takojë, Rama thotë se do ta tërheq padinë ndaj tij

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se do ta tërheq padinë për shpifje që ia kishte bërë ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Pasi Haradinaj refuzoi ta priste në takim, kryeministri shqiptar ka thënë se me Haradinajn do të diskutonte për diçka që sipas tij është më e madhe sesa ata të dy bashkë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve për të shkuar për ta takuar në selinë e tij apo në shtëpinë e tij, ku të dëshironte, siç pata kënaqësinë ta vizitoja sot Isa Mustafën te shtëpia e tij. Dhe si paditës që shkon te i padituri, besoj se nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër që do të doja të diskutoja edhe me të për këtë çështje që është më e madhe se ne të dy”, tha Rama.

Rama ka dhënë edhe një arsye për tërheqjen e padisë për shpifje, të cilën ia kishte bërë më herët, duke e quajtur gënjeshtar kreun e AAK-së.

“E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime me mediat në çdo derë, por do të bëj një konferencë ku do ta tërheq padinë. Do ta tërheq padinë, jo se ajo është e vogël për mua, por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkojë të gjithë. Nuk e di se çfarë roli ka tërheqja e padisë në raportet mes nesh”, është shprehur Rama.

Tutje, kryeministri i Shqipërisë e ka lavduar Haradinajn dhe ka thënë se ai ka vend të pazëvendësueshëm në histori.

“Për sa më takon, hiç atë pjësë, gjithçka tjetër është pa problem. Për më tepër, me padi, pa padi, me shpifje, pa shpifje, Ramush Haradinaj për mua nuk është kryeministri, politikani e ku e di unë se kush, është një prej figurave historike dhe ka vendin e vet në histori dhe nga ai vend nuk e lëviz askush, as ai veten e vet nuk e heq nga ai vend, sado kryeministër i keq të jetë. Kështu që padia do të tërhiqet edhe zyrtarisht, normalisht, dhe kjo është e gjitha”, u shpreh Rama. /Gazeta Sinjali