Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkrahur protestën e punëtorëve shëndetësorë, duke kërkuar nga Qeveria që Ligji i Pagave të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës si dhe përpilimi i buxhetit të ri të jetë në përputhje të plotë me nevojat imediate që reflektojnë përballje me situatën e rëndë ekonomike e sociale.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj shkruan se Qeveria duhet të kthjellohet urgjentisht dhe të konsiderojë të gjitha masat e nevojshme që e lehtësojnë përballimin e kësaj situate të rëndë.
Postim i plotë:
Kosova po hyn në krizë të thellë sociale. Qytetarët kanë filluar të përballen me mbijetesë. Rritja enorme e çmimeve ka goditur çdo shtresë të popullsisë.
Qeveria e Kosovës, i ka lënë në pozitë të vështirë kategoritë të cilat kanë bartur barrën kryesore të përballjes me pandeminë, si pasojë e së cilës edhe ekonomia edhe bizneset kanë përjetuar goditje të rëndë.
Për krejt këto arsye, sot jam me punëtorët shëndetësorë që protestojnë për të drejtat e tyre.
Qeveria duhet të kthjellohet urgjentisht dhe të konsiderojë të gjitha masat e nevojshme që e lehtësojnë përballimin e kësaj situate të rëndë.
Kërkesa jonë urgjente është që Ligji i Pagave të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës, si dhe përpilimi i buxhetit të ri të jetë në përputhje të plotë me nevojat imediate që reflektojnë përballjen me situatën e rëndë ekonomike e sociale./GazetaSinjali/