image Haradinaj lëshoi takimin, Abdixhiku e Krasniqi të zhgënjyer nga Kurti: S'ka plan për të zgjidhur tensionet në Veri

Politikë

Haradinaj lëshoi takimin, Abdixhiku e Krasniqi të zhgënjyer nga Kurti: S’ka plan për të zgjidhur tensionet në Veri

news image

Liderët opozitarë, Lumir Abdixhiku (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) kanë dalë të zhgënjyer nga takimi me kryeministrin Albin Kurti. Kjo pasi, sipas tyre, kreu i ekzekutivit “nuk ka plan konkret për të zgjidhur situatën e tensionuar në Veri të vendit”. Ata i kanë kërkuar Kurtit që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, shkruan Gazeta Sinjali.

Krasniqi tha se dëgjuan gjatë Kurtin dhe diskutuan por pa një zgjidhje të qartë.

“S’kemi përgjigje këto kanë qenë disa nga negociatat për gatishmërinë për të diskutuar dhe mundësinë për t’ju ndihmuat. Sot dal nga ky takim jo shumë i sigurt që kryeministri dhe Qeveria e dinë se në çfarë rruge po shkojnë për të ruajtur integritetin e Kosovës.

Erdhëm për të dëgjuar kryeministrin diskutuam gjerë e gjatë dhe si do të dalim suksesshëm nga kjo rrugë” u shpreh Krasniqi.

Ndërsa lideri i LDK-së tha se në takim me Kurtin nuk kanë parë ndonjë plan konkret e “as gatishmëri për koordinim të plotë më aleatët ndërkombëtarë”.

Ai tha se meqë gjendja e sigurisë në vend “është shumë e rëndë” është jetike koordinimi me partnerët, me theks Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, kreu i AAK-së doli nga ndërtesa e qeverisë 20 minuta pasi nisi takimi. Ai  shkroi në Facebook se u detyrua ta bënte këtë për shkak që, siç tha, “Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën.

“Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, ka shkruar ai.

Ndryshe, takimi është thirrur tri ditë pasi përfaqësuesit serb u dërhoqën nga institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet dhe deklaratave të vet Kurtit se janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë për destabilizmin e situatës në veri të vendit.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kurtit që të shtyjë vendimin për targat në kohë prej 10 mujve.

Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.

Kurti u ka bërë thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, ngase siç tha ai, “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk kanë alternativë”.

Partnerët ndërkombëtarë kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.

/GazetaSinjali/