image Haradinaj: Kurdo që dikush merr iniciativë për zhbërjen e Speciales, mua më ka prapa

Politikë

Haradinaj: Kurdo që dikush merr iniciativë për zhbërjen e Speciales, mua më ka prapa

news image

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se do të votonte për zhbërjen e Gjykatës Speciale, kurdo që dikush merr një iniciativë të tillë, shkruan Gazeta Sinjali.

Haradinaj thotë se kjo gjykatë është raciste për faktin se i gjykon vetëm shqiptarët, por jo edhe krimet që Serbia i kreu në Kosovë.

“Kam qenë kundër dhe vazhdoj të jem kundër Gjykatës Speciale sepse është gjykatë raciste, ajo gjykon vetëm shqiptarët, kur ne e dimë se ata janë viktimë në Kosovë. Kur të gjithë e dinë çka ka bërë Millosheviqi – pardje e kujtuam Srebrenicën, e mos të flasim për masakrat në Kosovë, ende askush nuk është përgjigjur, por mendoj se ka qenë gabim edhe i atyre që ia kanë dhënë besimin kësaj gjykate në atë kohë…Kurdo që dikush merr iniciativë dhe krijon shumicë mua më ka në ‘stand by’, të gatshëm të votoj kundër kësaj gjykate. Sonte nga këtu mund të shkoj në sallë, direkt pa asnjë fije problemi, kam qenë kundër dhe jam kundër kësaj gjykate sepse është gjykatë raciste”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së shprehet se do të ishte pro kësaj gjykate, nëse ajo nuk do të ishte e njëanshme dhe selektive në trajtimin e rasteve.

“12 mijë e 600 viktima shqiptare, kurrë askush drejtësi nuk po kërkon, kriminelët që i kanë bërë këto krime, mos të flasim për 20 mijë femra të dhunuara shqiptare, këtu askush nuk përgjigjet. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm, përderisa ne i mbyllim sytë nga e kaluara dhe shohim vetëm nga e ardhmja, mund edhe të na përsëritet. Prandaj kjo është gjykatë raciste, kërkon drejtësi selektive, nuk kërkon drejtësi për krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë, sepse po të ishte për të dyja palët unë do ta kisha votuar për. Nuk ka ndodhur në historinë e njerëzimit që ka pasur një gjykatë njëpaleshe. Ne jemi trajtuar sikur ne kemi bërë agresion kundër Serbisë, kur dihet se Serbia ka kryer krime në Kosovë”, ka thënë ai në KlanKosova./Gazeta Sinjali/