image Haradinaj kritika për programin qeverisës të Kurtit: Për herë të parë nuk përmendet SHBA-ja si partner strategjik

Politikë

Haradinaj kritika për programin qeverisës të Kurtit: Për herë të parë nuk përmendet SHBA-ja si partner strategjik

news image

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka kritikuar programin qeverisës së Qeverisë Kurti2 duke thënë se më shumë i ngjan një analize të administratës, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi, ai u shpreh se është i zhgënjyer sepse në këtë program për të parën herë nuk përmendet SHBA-ja nuk renditet si partner strategjik i Kosovës.

“Programi i Qeverisë më shumë i ngjan një analize të administratës, se sa programit të një qeverie. Jemi të zhgënjyer me faktin se në këtë program (sa pashë nga ajo që është publikuar në Koha Ditore) për të parën herë ShBA-të nuk renditen si partner strategjik i Kosovës”, shkroi ndër të tjera ai.

Sipas tij, dialogu me Serbinë nuk mund të zhvillohet pa një transparencë dhe një diskutim me spektrin politik në Kosovë, teksa shtoi se AAK do të ketë rol konstruktiv në këtë çështje.

“Dialogu me Serbinë nuk mund të zhvillohet pa një transparencë të plotë. Kjo është çështje nacionale dhe u përket të gjithëve. Qeveria e Kryeministri duhet të zhvillojnë takime me spektrin politik për një qëndrim të përbashkët. Ne si Aleancë do të luajmë rol konstruktiv për këtë temë, natyrisht kjo përmes Parlamentit. Nuk kërkojmë që të jemi pjesë e ekipit që zhvillon negociata, por kërkojmë të jemi në dijeni për çdo detaj të këtij procesi!”, shkroi ndër të tjera ai.

Po ashtu, Haradinaj tha se debati për ministren e Jashtme është i panevojshëm dhe i dëmshëm, duke thënë se subjekti i tyre politik nuk do të jetë pjesë e këtij debati.

“Debati për ministren e Jashtme është i panevojshëm dhe i dëmshëm. Ne si Aleancë nuk do të jemi pjesë e këtij debati. Secili njeri e ka një të shkuar dhe duhet të jetojë me të. Kaq!”, shkroi më tej ai./Gazeta Sinjali/