image Haradinaj: Kosova duhet të ketë parime në dialogun me Serbinë, nuk guxon të diskutojë për territore

Haradinaj: Kosova duhet të ketë parime në dialogun me Serbinë, nuk guxon të diskutojë për territore

news image

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për dialogun me Serbinë, ka thënë se në asnjë formë Kosova nuk duhet të diskutojë për kufijtë dhe ndryshimin e territoreve.  

“Kosova nuk guxon të shkojë në tavolinë pa e shpjeguar qartë se nuk merr pjesë aty ku bisedohet territori, kufijtë ose rendi kushtetues i yni. Mos të shkojmë të hapur ashtu që të diskutohet për çdo temë. Kosova nuk e ka atë lluks”, ka thënë ai.

Haradinaj ka deklaruar se është e rëndësishme që Kosova të ketë parime në këtë drejtim dhe jo të merret me atë se kush do ta udhëheqë ekipin negociator.

“Kushtetuta i ka paraparë përgjegjësitë e të gjitha institucioneve. Ato të presidentit, kryeministrit dhe të tjerëve. Nga ana e ime, si Aleancë dëshirojmë ta përkrahim Kosovën që të dalë sa më fuqishëm përballë Serbisë, për të prezantuar me argumentet e duhura, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje në kufijtë ekzistues. Secili i ka të shkruara kompetencat e veta. Më me rëndësi për ne është të mendohet në aspekte tjera, në parime të dialogut”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, ai thotë se nuk duhet humbur kohë, por sa më shpejtë të arrihet një marrëveshje.

“Është në interes të Kosovës arritja e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është interes i yni. Kanë kaluar 20 vite, s’kemi kohë për të humbur. Por, kuptohet se Kosova kërkon njohje reciproke në kufijtë ekzistues në respektim të shtetësisë tërësisë territoriale, rendit kushtetues. Ne jemi të gëzuar që administrata e presidentit Trump ka interesim që këtë çështje ta shtyej përpara. Kurdo që ndodhë, ne e mirëpresim rifillimin e dialogut, por e thash edhe një herë duhet të sqarohet se Kosova kërkon të arrihet marrëveshja për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, ka theksuar Haradinaj.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në Bruksel që nga viti 2011 për çështje teknike dhe pastaj ka vazhduar në nivelin e përfaqësimit të lartë politik, ku janë arritur më shumë se 30 marrëveshje./GazetaSinjali/