image Haradinaj kërkon nga Kurti të pranojë kërkesën e ShBA-së për çështjen e targave

Politikë

Haradinaj kërkon nga Kurti të pranojë kërkesën e ShBA-së për çështjen e targave

news image

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që me urgjencë të pranoj kërkesës e ShBA-ve për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar.

Në një konferencë për media, ish kryeministri ka kërkuar që Kurti t’i ndërpres vendimet që kanë marrë deri tani për zbatimin e vendimit në fjalë.

“Njëkohësisht ju kërkoj që deri në Marrëveshjen Finale, të mos ndërmerrni asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit në cilën do pjesë të tij, pa koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ndër të tjera kreu i AAK-së.

Fjala e plotë e Haradinajt në konferencë:

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti

Me shqetësim po e përcjell situatën e sigurisë në veri të vendit, pas vendimit tuaj të fundit për targat. Askush, as brenda Kosovës e as partnerët tonë ndërkombëtar nuk e konteston të drejtën e Kosovës për të zbatuar ligjin në mbarë territorin e vendit. Por, momenti aktual është i ndjeshëm dhe kërkon maturi e gjakftohtësi, në mënyrë që të mos rrezikohet procesi drejt Marrëveshjes Finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Prandaj, ju kërkoj që me urgjencë të pranoni kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar dhe të ndërpreni veprimet që keni marrë deri tani për zbatimin e vendimit në fjalë.

Njëkohësisht ju kërkoj që deri në Marrëveshjen Finale, të mos ndërmerrni asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit në cilën do pjesë të tij, pa koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara.

Ju inkurajoj që të kërkoni ndihmën e Këshilltarit Nacional për Siguri të presidentit Biden, z. Jake Sullivan për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon, deri në Marrëveshjen Finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke.

/GazetaSinjali/