Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se për çështjen e të pagjeturve fajin nuk e ka qeveria e as kuvendi, por Beogradi zyrtar, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, sot Kuvendi e ka mundësinë që të marrë vendim se çfarë duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës.
Organi më i lartë legjislativ gjatë debatit parlamentar në lidhje me vazhdimin e qeverisë së Serbisë që mban të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë gjenocidit në Kosovë, ku Haradinaj ka kërkuar falje publike pse nuk ka arritur të bëjë më shumë në zbardhjen e fatit të tyre.
“Ne e kemi shansin sot si kuvend, si organ mbikëqyrës i ekzekutivit që të marrim një vendim, dhe të bëjmë qëndrimet tona të qarta se si do të procedohet më tutje. Çfarë qëndrimesh duhet të ketë Qeveria e Kosovës në raport me Serbinë? Dhe ato qëndrime të jenë eksplicit të shpjeguara se çka duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës? Për çdo ditë po marrim informata për varrezat në Serbi, dhe është një fakt se asnjëherë drejtësi për ta nuk ka pasur. Unë si deputet i Parlamentit të Kosovës kërkoj falje publike pse nuk kam mund të bëj më shumë për ata njerëz, të cilët na mungojnë sot”, ka deklaruar ai. /Gazeta Sinjali/