Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se vendi është duke shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Haradinaj u shpreh se kjo po ndodh, sepse nuk ka gatishmëri të subjekteve politike që të arrihet marrëveshje për postin e presidentit.
“Ka një muaj që e kemi nominuar kandidatin për president dhe nga ai moment kemi pasur diskutime me partitë politike parlamentare. Ndoshta individualisht kemi gjetur edhe mbështetje, por nuk kemi marrëveshje për Presidentin e Kosovës. Më pas, ndodhi edhe ajo me presidentin Hashim Thaçi i cili dha dorëheqje dhe shkoi për t’u përgjigjur para drejtësisë dhe sot e kemi një ushtruese detyre të presidentit që është Vjosa Osmani. Jemi brenda hapësirës kohore kushtetuese”, tha ai.
“Jemi në fazën dialoguese. Natyrisht se as një subjekt politik nuk mund ta zgjedhë presidentin vetë kur dihet që kërkohen mbi 80 deputetë në sallë, pra jemi në fazën e diskutimeve. Në rast se gjejmë mirëkuptim, atëherë do ta kemi Presidentin e Kosovës. Nëse nuk do të kemi mirëkuptim duket që vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme”.
Po ashtu, Haradinaj theksoi se janë të hapur të diskutojnë me të gjitha partitë politike lidhur me postin e presidentit të Kosovës.
“Ne si parti politike e kemi nominuar Ramush Haradinajn dhe kjo është oferta jonë. Në të kundërtën jemi të hapur të diskutojmë me të gjithë, por duket se nuk ka gatishmëri të subjekteve politike të tjera që të kemi marrëveshje dhe potencialisht mendoj se në vitin e ardhshëm jemi në vit zgjedhor. Ka hapësirë dhe kohë dhe në rast se do të kemi dakordim me partitë politike do të jemi të hapur për të bashkëpunuar dhe bashkëqeverisur”, tha ai në Klan Kosova.